Rreth pjatës… – Musine Kokalari
Musine Kokalari
Rreth pjatës…
Ju pashë kur kalonja
Të gëzuar e të lumtur pritnit copat e bukës
së zezë dhe të thatë.
Fytyrat ju shkëlqenin prej një gëzimi të patreguar,
ndërsa gishtërinjtë e vegjël
dhe të regjur shumë prej punës,
futeshin në pjatën e kosit.
Sa shije ndjenit!
Sytë i mbyllnit nga pak prej thartësirës
dhe me shpejtësi i përtypnit kafshatat
e hedhura njëra pas tjetrës.
Stomaku, i zbrazët që prej mëngjezit,
u mbush me ushqimin e thjeshtë.
Po, ah asnjeri nuk i-u pa
ndërsa qëndronit të mbështetur
në shtyllën e elektrikut, në këndin e rrugës.
Veç edhe ju nuk vërenit njeri!
Flitnit ngadalë dhe me kënaqësi,
pse bukën e kishit fituar me punën
edhe me djersën e ballit.
Pa menduar, pjata e kosit u mbarua
dhe me habi shikuat shoqi-shoqin.
Ju erdhi çudi.
Të gëzuar u ngritët dhe pa u vënë re
prej asaj shumice njerëzish,
pa fare kujdes,
shkuat drejt në punë,
për të siguruar edhe në mbrëmbje
ndonjë pjatë tjetër.