August 5, 2024
Dhuroni donacionin tuaj per mirembajtjen e portalit dhe per promovimin e poetit tuaj të preferuar.

Kasollja e poezisë

Kasolle e mbuluar me kashtë prej thekri,
Me truall dheu, me frona dërrase,
Tymtar i tymosur, çengel i zi hekuri,
Ku varet kusia me grosh e patate;

Në qoshe një poçe, një kupë e një shtamë,
Në mur një kamare me xhezve të vjetër
Me tre filxhanë:
Dy për dy miq e për vete një tjetër;

Çatia e kasolles mardhur nga dimri i gjatë,
Shkrirë tej e tej nga pranvera,
Zhubrosur nga vera e thatë,
Fërkuar nga era;

Pësh-pëshje shpirtrash natën në trarët,
Frymë brezash palosur nga vdekja palë mbi palë,
Thirrje të gjallësh nga larg në dritaret,
Çukitje rabeckash, zukatje insektesh në vrimë e mazgallë.

Çdo gjë për mua këtu harbon poezinë,
Këtu në kasolle, ku shkrihem në prehje,
Tek shoh nëpër mjegull njerinë e lirinë
Dhe zgjas me hamendje duart përhumbur në dehje …

Shpërndaje në rrjetet sociale:
Porosit vide-poezine tende, kontakto => laberianews@gmail.com
WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com