Malli për miken – Delo Isufi
Malli për miken
Ecte kali suferinë,
Mbi ‘ të hipur një lab,
Ku vinte me kaq nxitim
Ku shkonte me kaq vrap.
Fustanella fluturonte, (1)
Xixa lëshonin patkonjtë,
Tek jarania labi shkonte, (2)
Që t’ i puth gush’ e ftonjtë.
Dashuria e kish dehur,
Fluturonte si rrufe,
Që të vinte pa u errur,
Me peshqeshe dy hejbé. (3)(4)
U takuan me shumë mall,
Mikja darkën kish bërë gati,
Nat’ e tyre flakë e zjarr,
Ajo eshkë e strall labi. (5, 6)
Nga fjalori shqip- shqip.
1) FUSTANELLË f. sh. etnogr. Pjesë e kostumit kombëtar shqiptar për burra, si fund prej pëlhure të bardhë e me shumë pala, që mbahej sidomos në Shqipërinë e Jugut e që sot përdoret nga valltarët popullorë. Fustanella pala-pala. I hapej fustanella.
2) JARANE , e dashura, mikja
3) PESHQESH m. sh. Dhuratë që i bëhet dikujt për dasmë për ndonjë rast tjetër të veçantë. I bëri (i çoi) një peshqesh. Ia bëri peshqesh. Kemi hequr dorë nga peshqeshet. * Ma la peshqesh në derë shih te DER/Ë, ~A.
4) HEJBE f. vet. sh. Dy torba të mëdha prej leshi a prej liri, të endura a të qepura së bashku, që shërbejnë për të mbajtur sende të ndryshme dhe hidhen në sup njëra para e tjetra prapa ose varen në samar në të dy anët e kafshës; duqe. Një palë hejbe. Var hejbetë. Mbush hejbetë. Nxjerr nga hejbetë. * I kishte florinjtë (paratë) me hejbe (me bisht) shih te BISHT, ~I. Nuk ia vari hejbetë (torbën, trastën, kapistrën, këmborën) shih te VAR.
5) ESHKË f. 1. Lloj kërpudhe, kryesisht bulledër, që rritet në trungjet e drurëve, e cila, pasi zihet e thahet, mund të ndizet shpejt nga shkëndijat e gurit të zjarrit; copë e vogël nga kjo kërpudhë, që përdoret për të ndezur me uror cigaren etj. Eshkë e tharë. Ziej eshkën. Ndez me eshkë. Zuri (mori zjarr) eshka. Digjet si eshka digjet ngadalë e pa bërë flakë. Të djeg si eshka të djeg pa e kuptuar. I janë bërë faqet si eshkë i janë tharë, i janë rudhur e nxirë faqet.
6) STRALL m. sh. 1. Lloj guri shumë i fortë, që kur goditet me një copë metali nxjerr shkëndija; gur zjarri, gur shkrepës. Pushkë (dyfek) me strall. Vegla (armë) prej stralli. I fortë si strall. Ndez me strall e uror. I bie strallit të marrë eshka.