Jehone shprese – Xheladin Halili
JEHONË SHPRESE
Cicërima jote e mekur mezi dëgjohet.
Është përzier me tinguj trishtues.
U zihet fryma e nuk bëhen më të forta.
Nuk duket se i ngjajnë asaj të dikurshmes.
Më mirë ca cicërima thirrjeje sesa të ngelësh i ngujuar.
Të mbetesh pa shpresë e pa gjak në damar.
Asaj kënge të vjetër kur e këndonin breznitë me radhë.
Kur me tingujt e saj vallzonin trimat.
Bashkë me ta edhe urtakët ndër shekuj.
A s’të kujtohen ty?!
Ia thonin guximshëm e nuk kishin frikë.
Jehonte e gjëmonin fort malet.
E luanin vallen të gjithë e s’ia vënin gishtin njërit-tjetrit.
Shpesh udhëtonin ndarazi, por cicërimat shpejt bëheshin zë i fuqishëm.
Ata nuk ndaheshin nga vallja e shpresës dhe daullja që kërciste ndër mote.
Valles nuk ia prishnin hijeshinë.
E zbukuronin edhe më shumë.
Atyre s’ju duheshin shumë udhëheqës valleje.
Ngarendnin me njerëzillëkun e pamatshëm.
U mjaftonte të kishin ca kryeparë.
Karvani duhej të ecte…
Ani pse herë pas here na i tundonin disa mendje, por jo si sot.
Përballë zhurmës së këtij uragani dorëzohemi përditë.
Fjala jote përfundon te buzët që dridhen…
Te sytë që derdhin lotin në faqe…
Përvajshëm e me frikën se po të lënë në baltë përsëri.
Mezi ju kuptoj.
Rrite zërin po s’ia pate frikën.
Guxo!
Lësho zërin e bubullimës e përshko me dritën e saj vendin!
Godit si rrufeja se ajo di t’i ndëshkojë padronët e territ!
Po deshe melodi tjetër pos çiftelisë, atëherë rikthehu fuqishëm, porsi zëri i saj!
Mos e ngre më zërin e lutjes!
Lëre!
Thuaje siç e thoshe përherë duke pëshpëritur
S”ju dëgjonte askush, por një Zoti po!
S’mjafton lutja e robit të dorëzuar, për të dhënë sihariqin e gëzueshëm.
Cicërimën tënde të lodhur, bëje jehonë trishtimi për të.
Zhurmës së uraganit fatkeq, ndalja hovin sa nuk ka marrë dhenë!
Cicërimë, tani kam filluar t’ju njoh më mirë!
Ç’mallëngjim që paskam pasur për Ty!
Shpresoj se po rritesh…
-Xheladin Halili
Viti, më 03.09.2019