Guxo – Agron Jashari

GUXO
Guxo të ecësh nëpër rrugën,
që të duket se për fund ka dështimin!
Guxo të buzëqeshësh,
edhe kur je ballë për ballë me trishtimin!
Guxo të fillosh diçka,
kur i frikshëm të duket përfundimi!
Guxo të shohësh lindjen e diellit,
kur është duke ndodhur perëndimi!
Guxo të dëshirosh atë që do,
edhe atëherë kur ke frikë ta mendosh!
Guxo të besosh se do e mësosh shpejt,
atë që, kurrsesi, s’arrin ta kuptosh!
Guxo të bësh hapin e parë,
andej, ku askush më parë nuk ka shkelur!
Guxo të mos dyshosh se do t’ia dalësh
aty ku e tërë bota kishin ngelur!
Guxo të rrëzohesh e të rrëzohesh,
por asnjëherë të dorëzohesh,
Guxo të biesh, të sakatohesh, të dështosh,
pastaj të ngrihesh, të ringrihesh e të triumfosh!
Guxo ta shohësh vdekjen në sy,
e t’i thuash: unë nuk besoj në ty!
Guxo të besosh atë që s’e beson njeri,
e për të pamundurën të mos kesh fare njohuri!
Guxo të refuzosh presionet, lutjet, lajkat,
e të jetosh mes faqebardhëve,
Guxo t’u dëshmosh frikacakëve,
se bota është veç e guximtarëve!
@gron.jashari