Stacioni im – Ilir Man
STACIONI IM ( Ilir.Man*Juillet2020)
…tek ai stacion treni,
nuk e hoqa dot vështrimin tim
nga paralelet e hekurta.
Qëndroja duke numëruar, shtrirë në infinit,
linjat hekurudhore
që përdridheshin e shtoheshin në horizont,
sikur të tregonin
se do të refuzonin çdo limit.
Pastaj,
nje T.G.V kalon vetëtimthi,
pa u ndalur fare aty, tek stacioni im.
– Iku ,
pëshpëriti trishtueshëm dikush,
dikush aty pranë,
pothuaj mbështetur tek supi im.
… I sigurt,
mendova se ishte bukuria e kohes që kaloi.
Bukuria e kohës ??
Po pse iku ashtu arrogantja ?
Pse nuk ndaloi ?
Iku ??…Ku ??
Hëm !…
Po mirë le të ikë.
Në fund të fundit iku vetëm nga shikimi im,
por,…jo nga unë.
…………………………..
…Shkoj çdo vit tek ai stacion .
Dhe gjithmonë,
përhumbem në numurimin e linjave hekurudhore.
Pastaj,
Si çdo vit një zë aty pranë tek supi im
pëshpërit të njëjtën fjalë apo fjali.
Dhe unë,
më pas që bëj ç’të jetë e mundur,
për më të mirat ditët e mia në poezi…
Ilir Man