August 3, 2024

Sokaku i të marrëve – Petrit Ruka

Dhuroni donacionin tuaj per mirembajtjen e portalit dhe per promovimin e poetit tuaj të preferuar.

SOKAKU I TË MARRËVE.

Tek Sokaku i të Marrëve erdha për xhirime,
Po njerëz…xhanxhin! “Të mirrte të qarët.”
Një çetë francezesh me aparate cannon
Më pyesin anglisht, “…ku janë “të marrët?”

Dhe unë ju tregoj një fletë llamarine,
Ku fjala “të marrët” është shkruar me një R-ë,
Sikur Gjirokastra e tij po kursen ca bojë,
Që djali i saj ta rishkruaj edhe më…

Të “marrët” shkrimtari i mori me vete,
I mblodhi ndër libra e s’kthehen më kurrë,
Njësoj si gjyshet në bohçen plot vdekje,
Në mëndjen e gjerë, të hapur flamur….

I nisi për botë me ballonën e Dinos,*
Ai vetë si Dinua me shqipen në krahë,
Fanepsur nga shpirtra që vetëm i luten
Të shohim ca botë, të na njohin, vëlla!

I ktheu në frymë dhe ia nisi planetit,
Thonë gurët me pak bar e mall në mes,
Me kamerën të hapur tek rrugë e Poetit,
Besoj që shpirtrat do vijnë dhe i pres…

Po s’ka frymë njeriu, veç emri Kadare
Pas murit të vjetër, në tabelë llamarine…
Ku blice turistësh ndryshkun asaj
Ia lajnë e ia ndrijnë me ar vetëtime…

Tek sokaku i famshëm po bëhem i marrë
Shpresoj të xhiroj ca shpirtra ndër qelqe
Me drithma mbushur si në mallin e parë…
Gjëmon as gjëmon pafund kjo heshtje…

*Dino Çiço, personazh i Kadaresë te romani “Kronikë në gur”
* ballon- avioni, në të folurën popullore.

Petrit Ruka
Gjirokastër, qershor 2013

(“Sokaku i të marrëve”Gjirokaster
Grafike e vitit 1973)

Shpërndaje në rrjetet sociale:
Porosit vide-poezine tende, kontakto => laberianews@gmail.com
WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com