Mos e bën orën me timen – Kadri Kadriu

KADRI KADRIU
MOS E BËN ORËN ME TIMEN
MOS e bën orën me Timen
nëse s’të rrah zemra si mua,
nëse të vërtetën gjithmonë s’e thua!
MOS e bën orën me Timen
nëse s’krenohesh me të parët e tu,
nëse të mira për TA nuk thu’!
MOS e bën orën me Timen
nëse mendon tjetrin në kurthë ta vësh
dhe terrin në vatër t’ia lësh!
MOS e bën orën me Timen
nëse je armik i punëtorit,
nëse mendon ta vrasësh vëllanë
e ta thyesh BESËN e malësorit!
MOS e bën orën me timen
nëse gjuhën e nënës varros
e të huajën e ngre në qiell,ndër yje,hënë e diell!
MOS e bën orën me Timen
se saktësisht orën s’ta tregon,
nëse vëllanë si sytë s’e don!
MOS e bën orën me Timen
nëse kur s’është për të kënduar bilbilin dëgjon
NËSE KUR S’KE LIRI PËR TË S’LUFTON!
Nxjerrë nga vëllimi i parë me poezi të babait tim ,HIJE MURI,1979/Prishtinë