Rrezeshpresë – Zoica Gjolla Popi
Të dashur miq! Sot është dita e parë e pjesmarrjes sime në flash mob poetik! Tetë ditë, tetë poema dhe tetë ditë transmetime stafetash! Stafetën e mora nga poetja e talentuar Senana Sadiç! Ia përciell stafeten poetes Natasha Ilia! Besoj se do të jetë një maratonë e bukur plot surpriza! Është një garë që marr pjesë për herë të parë! Eksperiencë e bukur! Unë ia përciell stafetën poetes Natasha Ilia!
RREZESHPRESË
Ku më gjen dobësi e marrë
e ftohtë në gjoks si akullnajë
të më rëndosh si mal mbi supe
si një plagë që e rëndove
e mbylle e përvëlove
në një shpirt hone humbur
heshtje ndjenjash të përgjumur.
Unë të njoh dobësi e marrë
në frymëmarrje të padalë
je e huaj s’jam e jotja
je një hap i capitur
në shpirtin e drobitur
si kandil i venitur
që s’shuhet me lot të kripur.
Ku më çon moj e pabesë
në një humbje të pashpresë
por kur shtriqem unë marr krahë
si zgalem nëpër dallgë
qiell e toke i përflakë
me pishtarin shpresë ndritur
bërthamë qelizash përtëritur
në fuqi për tu ringritur.
Hiqmu hiqmu moj e marrë
lërma forcën të më godas
e të të bie si e çmendur
gjersa gishtërinjtë të më dhembin
të më kujtojnë se kur linda gjallë
duke qarë e ulëritur
prej një fati të paditur.
Në udhën e gjatë buzëputhur
tre ditë në ballë shkruar
engjëj nënash të praruar
ç’kërkon nga unë moj e hutuar!?
Të përballemi jo nuk dua,
çdo sekondë qesh një jetë
lind me diellin rrezeshpresë.
Zoica Gjolla Popi
Angli
Albania