August 20, 2024
Dhuroni donacionin tuaj per mirembajtjen e portalit dhe per promovimin e poetit tuaj të preferuar.

GRUAJA E VEJË

Gruaja e vejë
në arkën e vjetëruar
fsheh:
mollë, mushmollë, arra, ftonj, lajthi e qershi
dhe i ruan stinë pas stine
për t’i këmbyer me një fjalë goje.

Ajo qull natën me shi lotësh
dhe hap sytë
yllth më yllth
duke pritur agimin mbushur me dritë.

Nata që zgjat e zgjat,
i hedh terr në sy.

Gruaja e vejë
jeton vetëm
me shikim të ngujuar në një dritare
sa një faqe kapixhiku
dhe asnjë sy nuk e prek
asnjë zemër s’e dëshiron.

Ajo qull jastëkun me lot gjaku
thërret një trokitje të lehtë
si prej puhize
një shushurimë shavari
një zhurmë dallge,
por era s’kërset në xham
t’ia zgjojë një nerv
t’ia merr një shikim,
sa ta ndërrojë me pemë stinësh
një gjysmë fjale për të mirë,
a për të keq.

Afër qerpikut të syrit
të azurtë
rrëshqasnin kokrra loti
e shikimi
humb përtej shtatë qiejve.

Gruaja e vejë fton një zog
shtegëtar
sa ta lëvdojë dashurinë
mes shelgjeve të heshtura
e ta fyej burrin e parë
që kthehej pas mesnate si furtunë,
e t’i ngrejë në qiell fëmijët
urtarë
të përqafuar me jetën e tyre
në metropolet e mëndafshta,
ah, ta ndjell
vdekjen e vetë të ngadaltë,
ta dëbon nga shqisa hundore
aromën e pemëve:
mollë, mushmollë, arra, ftonj, lajthi e qershi
që i ruan stinë pas stine
për t’i këmbyer me një fjalë goje.
Puntorie Muça Ziba

Shpërndaje në rrjetet sociale:
Porosit vide-poezine tende, kontakto => laberianews@gmail.com
WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com