August 10, 2024

Natë e brishtë – Barie Çupi

Dhuroni donacionin tuaj per mirembajtjen e portalit dhe per promovimin e poetit tuaj të preferuar.

NATË E BRISHTË

Është muzg i gushtit të brishtë,
toptha lulebore në oborr mbretërojnë,
melodi e zogjve,jo rastësisht më imitojnë,
qetësi e mërdhiftë,
mërmërimë e bardhë,
mbi vargun që pret të zhurmojë në çdo anë.

Mblidhesh nën dritën e yjeve,
shtrihesh,
zhvishesh dëshirash varrosur,
murosur,
s’je më e dukshme,
por je vetëm e pastër,
ndoshta një shkujdesje rrin fshehur,
e turpshme,
një ëndërr e ç’thurur,
duke thurur poezinë më të bukur.

Mesazh i lakuriqtë,
drejt yllit më të shndritshëm mërgohet,
ndërsa hënës mbretëreshë,
përpëlitja e fjalëve i rrëmben gjithë botët,
në kraharorin e qiellit zjarri qetësohet,
zjarri i fundshpirtit,
që shkulet nga lotët,
kur mbrëmja bëhet buzë që rrëzohet.

Delir që përflaket,
e shtydhet damarësh pikë-pikë,
gëlon në zemër,
spërkat e kullon nga thithkat e gjirit të natës,
ethet e vetmisë nuk kanë frikë,
në kuvende yjesh,
ëndrra mbaron e përmallët,
nën qerpikët e mëngjesit,
syri i etur ndriçon vetëm fjalët.

Shpërndaje në rrjetet sociale:
Porosit vide-poezine tende, kontakto => laberianews@gmail.com
WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com