Krahët e mi në kodet e kohës – Iliriana Sulkuqi
VETËM për lexuesit e mi dhe për ata/ato që më presin edhe me “hap-udhëtimin” e vonuar, por të sigurtë në mbërritje, si breshka…
KRAHËT E MI NË KODET E KOHËS…
(…dhe i tha Koha – kohës: –
Ti s’e bën si unë Dashurinë…)
….
Njëhërë e një kohë
krahët më hapeshin jashtë kufijve të reales,
si një kompas gjeometrik,
ku përqafoja botën prej përralle
me fund magjik…
…
Dalëngadalë,
në përqarkjen rreth kozmosit,
rrathët zvogëloheshin
brenda krahëve të mi…
…
Sot,
Më ka humbur kompasi i rrathëve.
Sot,
krahët më janë tkurrur
sa një gisht…
SOT,
Krahët kanë marrë
dimensione prej SHPIRTI –
me këndet, kubizmat
vijëza të (zh)drejta, me kuptim…
Një diametër më shpëton
nga Magelani,
një tik – tak
më puthet me enigmat si shpëtim…
…
Tani,
pa krahë përralle
pa fundin e tyre mistik,
pa kode takimesh në orën fiks të çfaqjes…,
pa ndarje kohësh që ikin e vijnë…-
i them një kohe,
jashtë kufijve realë:
– Pa silikon te Fjala,
JAM KOHA PA KTHIM.
Iliriana – Fjalë për Kohën e ardhme…
VALIXHET E MIA…
(Zgjodha udhëkryqet për t’i kthyer në Jezu-kryq…,
për t’ju kujtuar se edhe e kryqëzuar,
Jetoj me Dashuritë…)
…
” Fluturoj” në Udhë – ajrin më të gjatë,
vetëm për një valixhe më shumë…
As vetë Kolombi
s’do ta kish bërë po ta dinte Vendmbërritjen si unë…
…
Valixhet me mua udhëtojnë si legjendë…
Unë, grimcëfjala as di t’i rrëfej…
…
Valixhja e parë: -………….
Valixhja e dytë: -……….
Valixhja e tretë:
– pa asgjë që kontrollohet si e dyshimtë…
E lehtë, sa një pupël.
E rëndë, sa të gjitha dashuritë …
E Hyjshme, sa të gjitha Perënditë.
Valixhet e mia – me mua përjetësisht…
Varur mbi një fijëz fryme të avullt-
pa kohë,
pa hapësirë…
iliriana, ……