Atdhe të shitën Lir(in) – Asllan Qyqalla
Atdhe të shitën Lir(in)
Në Arkivin e Londrës
gjeta atdheun e paarnuar
të mbrojtur nga Mbretëresha Elizabetë
ashtu si e kishte lënë Gjergji në shekuj amanet.
Atdhe, në pasqyrën tënde pashë bajlozët duke ladruar
pashë Sulltanë e padishahë të ndërkrehur
erdhën për të përshkardh
me gjysmëhënë e krrokama
me bubulesh ish mbushur çdo skutë
ku glaconin stërkeqët e qelbanikët.
Atdhe të sakatosën unukët e zagarët
nga një pjesë tëndin e vunë në ankand
ata që shkelën mbi gjakun e dëshmorëve
këta që në gjakun e stërnipërve
pasurojnë egon e turpit
varfërojnë atdheun me xehe, ari e diell
gjysmëhënën të turpëruar e vunë në ballinë
një paçavër të ndyrë e të përlyer
na e bënë himn në ekstazën e shitur
për epshet, vjedhjet e ndyrësitë.
Atdhe
gjuhën ta ndotën me barbarizma
në përqafim me Erdogana, Mexhuburrahmana…
këngën ta djegën në parzmën e “unikatilave”
rininë ta ndoqën lumenjve të Hungarisë
apetitet e pangopura në sojesorollop
i sollën poezisë sime vrerë e blozë
sa të madh të gjeta Atdhe në Londër
sa të zvogëluan marangozët e luftës
të skamnuan në ecjen tënde zhagas
Atyre turpi u rëntë në oxhakun e pallateve të ëndërrave
epitafin këtyre duhet shkruar me alfabetin çirilik
nuk lanë vend as për varre
në Atdheun tim.