Pika ty dhe pika mua! – Sotir Thano
P I K A T Y D H E P I K A
M U A !
Pika ty edhe pika mua,
Pika mua edhe pika ty!
Çfarë ëndërronim, dhe si e pësuam,
Sikur na bënë magji.
Pika mua edhe pika tyja.
Si e humba pusullën unë!?
Nuk t’i putha dot faqet të dyja,
Skuqur flakë e bërë shpuzë.
Si e pësuam dhe u shushatëm?!
Të magjepsur neve mbetëm.
Kokë ulur dhe pranë e pranë,
Pa nxjerrë asnjë fjalë të vetëm.
Pika na rëntë neve të dyve.
Pika na rëntë mu në kokë.
S’u vështruam dot në dritë të syve,
Si fajtorë, shikonim në tokë.
Mos të takofsha unë herë tjetër!
Mos të vënça unë në dorë!
Si mike të kam të vjetër,
Si nuse do të vë kurorë.
Pika tyja edhe pika mua!
Pika të na bjerë të dyve!
Ditën e shënjtë, kur të dashuruar,
Do të jemi në odën time!