Do të doja më shumë kohë tjetër – Sokrat Habilaj

DO TË DOJA MË SHUMË NË KOHË TJETËR
Dikur më shumë mund të doja,
Po në dashuri nuk jam ngutur.
Prisja një tjetër kohë ndoshta,
Që të bëheshe dhe më e bukur.
Mund të doja sa të derdhja lot,
Kur hëna braktisi shtratin e saj.
Veshur nuse u shfaqe në portë,
Prapë thash mungon një detaj.
Mund të doja dhe pa kufi malli,
Kur si llavë më the:-Do të vdes!
Po pa pritur që të shuhej zjarri,
Nga dufi im e fshihja një pjesë.
Dikur mund të të thosha:-Ja tani,
Tej këtij malli mbaron gjithçka,
Kur më ribëre dy herë si perëndi,
Prapë unë thash:-Të pres dhe ca!
Ndoshta prita thinjat kaq gjatë,
Se ajo dashuri që e lash pezull.
S’ishte grua që zhvishet në çast,
Po ankth që zgjatë sa një shekull.
Sokrat Habilaj