My lord… – Iliriana Sulkuqi
- MY LORD…
( Më mirë, /pa ardhjen time
pranë teje e për Ty, /My Lord…)
Atje,
ku thua se më pret
e kam të pamundur të vij…
Që nga nisja një stuhi më pengon
një “SOS” anullon çdo fluturim…
…
My Lord,
Atje,
ku më thua – të pres…
Një gravitet
më kthen kokëposhtë,
s’më le asnjë shkallë të ngjis…
….
Atje, ku më “fton” im Zot,
s’ka ditë, as natë, as stinë…
Askush nuk i flet njeri – tjetrit,
askush emrin e tij s’e di…
Atje, s’ka oxhak të prushtë,
s’ka portrete të njohur nga fisi…
Si do t’i njoh e t’u them-
ja, mirëse ju gjeta…, si jeni…
Si do t’i them
Nënës sime:
“Falmë që s’t’u gjenda.
Në pikën e fundit të frymës
s’të putha dot te FRYMA…
( dhe ajo… m’u “vodh” e paputhur…)
…
Im Zot,
po Dashuritë e Ikjes
nga shpirti i botës
si do t’i njoh e t’u them…-
“Më ka dërguar Bota e harresës
T’JU KËRKOJ NDJESË…”
…
Më mirë,
pa ardhjen time
pranë teje e për Ty,
My Lord…
Lamutumirë,
Mos më fut në kurthin
e Parasjës Tënde!
Lermë të qetësohem
ku më ke lënë…
Pak strall prej fisi
e pak eshkë prej vetes ,
një shkëndijë
të ndez –
Amanetet e të ikurve të mbledh…
- JETOFSH PA MUA, SI PERËNDI…
(Sa larg më ke.
Sa mall të kam.
As dhe një zgjim s’e zgjojmë si këngë…)
…
Të kisha “lodër” pa mëkat.
Të kisha ëndërr në dashuri
dhe një folezë pa përkthim…,
Qyteti im.
Të kisha Fjalë në Fjalë të Parë.
Të kisha prag, pa dhimbje britmash.
Të kisha prush ndezur nga prushet,
nga dashuri prej vetëtimash…,
Qyteti im.
Të kisha, eh, çfar nuk të kisha…
Të kam, eh, çfar nuk të kam…
“Lodër” që ma përçmend ciklin –
nga lindja prej lindjes,
deri në varr…
…
Qyteti im, i Bukuri Ti,
Jetofsh pa mua si Perëndi.
Vetëm një gjurmë ma ruaj në SY,
Atë, t’padukshmen – DRITHËRIMË…
…
Qyteti im, i Bukuri Ti,
JETOFSH PA MUA, SI PERËNDI.
Iliriana S. ( imcakja prej malli)
Iliriana Sulkuqi
Domenico Modugno sings Nel blu dipinto di blu also known as Volare on Ed Sullivan’s show in 1958. Music by Domenico Modugno, lyrics by Domenico Modugno and F…