Pylli – Kujtim Hajdari
PYLLI
Malet në lindje format e tyre po gdhendin,
Me shtizat e para të dritës që çajnë errësirën,
Sot jam qytetari i parë që po shëtis vendin,
I pari që gëzoj ylberët e përqafoj dritën.
Më shikojnë me zili drurët në pyll,
Që errësirën kanë gjithnjë nëpër këmbë,
Edhe pse me majat puthën të fundit yll,
Errësirës poshtë nuk i hyn as një gjemb.
Bashkëjeton në shekuj me këtë errësirë,
Me ëndrrat që vdesin në majat e tij,
Me ylberët që humbin në natën e nxirë,
Me natën që drurët kërkon të përpijë.
Shëtis nëpër rrugë me rrezet përqafuar,
Fëshfërima e pyllit më këndon simfonitë,
Dhe pse me errësirën në gjoks shtrënguar,
Pylli s’ankohet aspak veç shkruan historitë.
Më kujton ai popujt që durojnë aq shumë,
Shtypje, varfëri dhe errësirën sociale,
Ashtu si pylli nuk shohin dritën askund,
Dhe heshtin me dhimbje, mbytur në halle?
(Nga libri “Do t’u them…”)
KUJTIM HAJDARI