Gjerë e gjatë – Ulku Bardh
Poezi nga Bardh UKA
GJERË E GJATË
Sa e gjerë e sa e gjatë…
Është gegërishtja në këto anë
Që ma lanë: atë, nënë e tatë
Eshtë gjynah mos me e thënë!
T’i mbledhim fjalët ne, një nga një
Ato fjalë që m’i ka gegërishtja
T’i kërkojmë në tokë e në qiell…
Kah janë derdhur nëpër lenishta.
Se gjithë fjalet e gjuhës sonë
Janë pasuri me shumë vlera
Ka shumë fjalë dhe leksiku jonë
Mbuluar me gurë e zënë me ferra.
Nëse doni edhe ju për të dit’…
Dhe gjëra të moçme për të deshifruar
Se qysh kanë folur edhe perënditë…
Duhet gegërishten për ta nderuar.
T’ i mbledhim fjalët për t’i tubuar
T’ i radhitim si xhevahirët në vargjet
Një nga një më mirë për t’i mësuar
Të mos na thehen neve gardhet.
Se gardhi jonë rri në cep të sinorit
E pruan vendin qysh prej lashtësive
Mos t’shkele këmba e turkut, okupatorit
Dhe asnjëherë më këmba e shkijeve.
Gjerë e gjatë është bre burr’
Historia e tonës, t’Madhes Nënë
E shkruar me gjak dëshmorësh
E endur, me kuq e zi, n’flamur.
Herë lot i kthjellët si qielli
E herë-herë e randë si gjur
Herë-herë e hidhur si pelini
Po ka qenë edhe e amël dikur…
Në kohën e Zeusit, kur ai qe fëmijë
E ku Amaltea në at’ të thellën shpellë
Nga gjiri i vet, qumësht i jepte të pijë
A Kuretët e fshehnin nga baba i tij
Sepse ai i hante të vetët, bija e bij..!
© Ulku