August 10, 2024
Dhuroni donacionin tuaj per mirembajtjen e portalit dhe per promovimin e poetit tuaj të preferuar.

Nga Vitet Në Vite
(Curriculum në vargje)

U rrita ashtu siç më deshti fati e jeta
Kam ecur i pa lodhur, nuk jam ankuar
Më pëlqen çdoherë vetëm e vërteta
Edhe kur është e keqe për tu trishtuar.

Edhe jam rrëzuar edhe lënduar
Por vetëm buzëqeshjen e kërkoja
Ngritësha pa ndihmë, duke mësuar
Të bukurën çdoherë e ëndërroja.

Në lule të rinisë sime, digjej atdheu
Trupin tim e dhurova si një mburojë
Në mendje më rrinte Skënderbeu
Kur atdheu në luftë, fjalët pushojnë.

Lufta mori fund e shëndriti liria
U bëra mik i librave në përjetësi
Mes ëndërrave rinore lindi dashuria
Paqja e vërtetë, njeriun e bën njeri.

Çdo ditë çdo natë diçka të re mësoj
Ndalem e mendoj sa kam ndryshuar
Që ta njoh botën më tutje vazhdoj
Me mirësinë e jetës thellë i dashuruar.

Kur gaboj pendohem e falje kërkoj
E flakë tutje krenarinë burrërore
Aty ku është e drejta stoik qëndroj
Mbetem thjeshtë në parime njerëzore.

Jeta më solli pak ca rrugë të gjata
Mijëra kilometra kudo nëpër botë
Mendjen tek vendlindja gjithë e pata
Edhe kur e pija ujin nga një gotë.

Mik i pandashëm i virtytit dhe nderit
Në shoqëri me besën dhe bujarinë
Përtej urrejtjes, mërisë dhe ferrit
Ngrohem me paqen dhe dashurinë.

Driton Smakaj

Shpërndaje në rrjetet sociale:
Porosit vide-poezine tende, kontakto => laberianews@gmail.com
WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com