Unë fshatari – Delo Isufi
UNË FSHATARI
Dallojmë ne fshaterët kudo që jemi,
Sa na shohin, thonë: “Është fshatar”,
Të shkruar në ballë “fshatar” e kemi,
Era dhe dielli fytyrën na kanë vrarë.
Shkujdesur ecim ne në rrugë,
Me gjunjë të thyera, hapin e gjatë,
Na duket sikur shkelim mbi gur,
Makinat na trembin që larg.
Pëlqejmë ushqimin ta ham me duar,
Na bezdis piruni, luga dhe thika,
Kur pijmë raki e marim shtruar,
Kënaqemi kur dëgjojmë intriga.
Vishemi njësoj, si në dimer e verë,
Me këpucë pa çorape, si në fshat,
Vetja na duket me shumë vlerë,
Prandaj flasim me zë të lartë.
Ne fshatarët jemi njësoj në botë,
Nga njeri-tjetri dallojmë fare pak,
Jemi të sert, nuk derdhim lotë,
Kështu jam dhe unë fshatari Lab.
Ne fshatarë kujdesemi për tokën,
Edhe drithin e duam shumë,
I duam dhentë, dhitë, qenin e lopën,
Për hallet e botës rrimë pagjumë.
Ne gënjejmë dhe vet e besojmë,
Ky është zakoni ynë më i vjetër,
Pastaj gënjeshtrën tonë e harrojmë,
Dhe kurdisim një tjetër gënjeshtër.
Qytetari nga natyra është mashtrues,
Na gënjen me kalem, letër e defter,
Ne jemi më praktik në këtë fushë,
U shesim mjaltin përzier me sheqer.
Ne fshatarët të ftohtin e durojmë,
Por edhe vapën e durojmë shumë,
Të katër stinët fshatarin e gëzojnë,
Gjithë vitin ne merremi me punë.
Qytetari di të shkruaj dhe lexoj,
Ata këndojnë libra dhe romane,
Komshiut ata s’i flasin me gojë,
Gjithë natën e kalojnë në mejhane.
Fshatarët rrinë gjithë kohë bashkë,
Burra dhe gra, të moshuar e fëmijë,
Ne na zë gjumi më rehat në kashtë,
Natën merremi me llafe e pijmë raki.
Ne ndryshojmë shumë nga njeri-tjetri,
Qytetari nuk dyndet kurrë në fshat,
Nga ne fshatarët dridhet tër qyteti,
Kur i turremi me hu, kazëm e lopatë.
Ne na zë gjumi rehat nën hënë,
Qentë dhe bagëtinë i kemi shokë,
S’kemi nevojë pë dyshek e velenxë,
Jastëk vendosim opingat nën kokë.
Ne fshatarët lindim shumë fëmijë,
Kur sofra mbushet plotë ka lezet,
Të punojnë arën, të shërbejnë në ushtri,
Të lajnë hakun, të shkojnë në kurbet.
Ne fshatarët e respekojmë mikun,
Për atë kalamajtë i lemë pa bukë,
Me pushkë e presim ne armikun,
Kur ai vatanin kërkon të nduk.
Qytetari nuk është trim si ne,
Ai hesapet i bënë me kalem,
Edhe mikpritjen ai nuk e njeh,
Respektin ta kethen me ujem.*
Pa ne nuk bënë dot qytetari,
Prodhojmë bulmet, drith e mish,
Të zeza i ka duart fshatari,
Por frytet i’a pëlqejnë të gjithë.
Ne fshatarët mburremi, premtojmë ,
Gënjejmë sa të zgjidhim hallin,
Pastaj bëjmë sikur nuk të njohim,
Kalojmë lumin, menderosim kalin.
Qytetari fshatarin nuk e kupton,
Por edhe ne nuk e kuptojme atë,
Ai erën e bajgave nuk e duron,
Aroma e parfumit ne koken na zë.
Kur të tjerët na bëjnë vërejtje,
Ndokush rastësisht na kritikon,
Ne, armik e kemi për vdekje,
Origjina e fshatit s’na lëshon.
Betohemi për të gjitha perënditë,
Por asnjerën s’besojmë prej tyre,
Militojmë në të gjitha partitë,
Luftojmë që të dalim në krye.
Kur sigurojmë troje në qytet,
Stanet tona i ruajmë atje larg,
Me dhunë jemi mësuar që në djep,
Dhuna qytetarin e bënë zap.
Shesim tokat e babait në fshat,
Me ‘to blejmë makina të mira,
Diplomat i rreshtojmë varg,
Sigurojmë punë në ministrira.
Pastaj e mohojmë ardhjen tonë,
Dhe themi: “Unë jam qytetar”,
Por qyteari që larg na dallon,
Nga qëndrimi jonë krenar.
Nuk flasim si dikur, për dhi, lopë e ugar,
Në fund të fundit mbetemi pak fshatar.
*Ujem- Mielli ose drithi, që i jepej mullisit si pagesë për blojën;
Delo Isufi, botuar në vëllimin poetik “Ëndërr e Grisur”