Dëshirë zemre – Manushaqe Hoxha Laçi
Dëshirë zemre
Dua të vij te ju me vargun si himn.
Të lumturoj çdo zemër të pikëlluar.
Buqeta lulesh të mbledh në lëndinë
Aroma jete në shpirt për t’ju dhuruar.
Agimit t’i marr kënaqësinë e rizgjimit.
Bekime pafund të marr për ditën e re.
Vrullin e jetës si lumenj mes vërshimit
Qetësinë e natës kur gjithçka fle.
Nga retë dua të marr shiun e dendur.
Të ketë qielli gjithmonë kaltërsi.
Butësisht të freskoj tokën e etur.
Të gëzojnë të gjithë, nëna, pleq e rini.
T’i marr diellit të çiltrën buzëqeshje.
Lehtësisht të fshij çdo brengë e pikëllim.
Të mbush botën me shpresë jete.
Njeriut t’i largoj çdo dhimbje e mjerim.
Në yje të marr rregullin e qetësinë.
Shpresë të mbjell në zemrat e vrara.
Të ushqej përjetësisht lumturinë.
Lotët të thaj në shpirtërat si parajsa.
Dua të marr në univers pafundësinë.
Të marr bukurinë magjepsëse që ka hëna.
Njerëzimit t’i dhuroj përjetësinë.
Parajsën në tokë si na e ka ënda.