Republika – Mehmet Breznica
REPUBLIKA
Natën time mbjell me yje
Rrugën time shtron me diell
Në fund ferri puhi bie
Then dryrë e trazon qiell
Vuajtjes i ep gji Anteu
Të rriten lulet pa vesë
Thërret flamurin t’valoi Atdheut
E trazon shqiponjën n’djep
Kur nga shpresa të dëbojnë
Gjak loton me ngashërime
Hyn në mua flakë më djegë
Ti kandil i ëndrrës sime
Thanë të vranë në kthina burgu
Të varrosën nën akuj terri
Ti prapë linde maje gurit
N’Kaçanik t’Idriz Seferit
P.S.
Kjo poezi u shkrua menjëherë pas Kuvendit historik të Kaqanikut, ku ish delegatët e KSAK, shpallën Kosovën shtet të pavarur dhe demokratik dhe nxorën aktin më të lartë juridik – Kushtetutën e Republikës së Kosovës që edhe sot vazhdon të jetë më e avancuar kombëtarisht sesa kjo e tashmja, që Kosovën e definon si shtet të gjithkujt dha askujt, e më së paku shtet të shqiptarëve!
Këtë poezi në atë kohë nuk guxoi që ta botonte asnjë gazetë shqiptare me përjashtim të ”QËNDRESËS” që botohej në Zvicërr.