Mallkime kurbeti – Manushaqe Hoxha Laçi
Mallkime kurbeti
Kur hedh në pyjet e largëta pas dritares shikimet.
Sikur jam në çdo shtizë të atij syri, ndonëse kaq larg.
Thahen detrat nga malli e zemra e poetit digjet.
Në Ajkunë moderne kthehem dhe unë këtë natë.
Ta lexoj buzëqeshjen, dhe pse pas lotësh fshihet
në sytë që shkëlqimin kurrë nuk e humbasin.
Me hapat qiellorë në yje me mua shkruan vargje magjike.
E duam të fshijmë largësinë si në letër goma fshin lapsin.
Kisha dëgjuar për largësi kurbeti në oda burrash.
Kisha lexuar në tingujt e këngëve që vinin si gërsheti.
Tani e besova dhe vetë kur dhe malli si zjarri më djeg.
Kur në gjoksin e ngrohtë më vijnë sa e sa eho kurbeti.