Më vijnë rresht përpara syve – Fatmir Gjata
Më vijnë rresht përpara syve
Mbi çdo shkëmb të rrokullisur, mbi çdo shpat, mbi çdo gur
Më fanepsen luftëtarët, me një shtizë edhe flamur
E vërtiten buzë një lumi, hidhen rëndshëm tej matanë
Më vijnë rresht përpara syve, porsi xhindër ca matjanë
E më thonë të zemëruar, ngriji kryet se na vranë
Shko e merr një armë krahu, shko e vish një xhamadan
Ikim bashkë nga majë e malit edhe zbresim drejt në fushë
Te kështjellë e Skënderbeut, në Varosh e në Stelushë
Se në tokën tonë të vjetër, jemi mbretër vënë në radhë
Gjersa shkëmb i madhërishëm, të jetë kthyer Gur i Bardhë.
Tej më shfaqen ca pasqyra, mes luginës së pa matë
Janë liqej me ujë prej bjeshke, tutje shkon dhe lum i gjatë
Shtrydhin zanat ca gërsheta, larë me lot prej perëndie
Ktej po munden ca kreshnikë, edhe shlodhen nënë hije
E po zihen për një vashëz, kush të jetë më trim ta marrë
Tutje larg Ajkunë e plakur, çjerr fytyrën mbi një varr
Dhe ca trima po këndojnë, për dëshmorë me çifteli
Si e vranë pashanë e vjetër, drejt në ballë me një allti
Në mes syve mos të shihte, qiell të pastër plot me erë
Sepse lindëm edhe vdesim, edhe nuk e shesim nderë
Fatmir Gjata