Dëshirë mërgimtari – Lumni Nimani
Dëshirë mërgimtari
Mejtueshëm shetis, në këto rrugë qyteti.
Mbi kalldrëmin e vjetër, shtruar për bukuri
Melankoli vjeshte më tundi dhe më treti.
Si t’voglën barkë në det, e fuqishmja stuhi.
Lule shumëngjyrëshe, aq sa të sheh syri.
Gjithandej rregull, pastërti e gjelbërim…
Ah mall i pashuar, në zemër seç më hyri!
Kur më ra ndërmend, i shtrenjti Atdheu im.
Nëpër shesh t’qytetit, shëtisin plot njerëz,
megjithatë m’duket vetja, prap i vetmuar
Jo aq nga i ikuri i ngrohti diell i verës;
sa nga zogjtë shtegtarë që tanimë kanë shkuar.
Të bëhesha zogmali, sa shumë do t’doja!
N’vendin tim të kthehesha, me plot gëzim.
Atje ku shpirti më do, prore të fluturoja
Se lotët më mbytën, këtu në mërgim.
Rreth e rrotull t’i bie të dashurës Shqipëri
Nga Llapi i lulëkuqeve deri te Prizreni
Të freskohem pak në atë të Bardhin Dri
E drejt për Tiranë, e në det te Golemi.
Pastaj të marr udhë andej kah Manastiri
Të freskohem edhe te ai Dri i Zi në Strugë
Ku gocat janë të bukura me ata sy ulliri
E për Preshevë e Ulqin të nisem per rrugë.
Dua të kënaqem atje në atë tokë të bekuar
Për të cilën s’pushojnë këngë e as dashuri
Atje ku mal e det, e fushat me lule shtruar
E qëndisin mëmëdheun tim me plot bukuri.
Ku ka më mirë o njerëz, e ku ka më bukur?!
Se n’tokën arbërore që me gjak është larë
Ku bukës i thonë bukë – aty jam i lumtur
ku gjuhë e nënës s’peshohet as me ar.
Lumni Nimani
Vjeshtë 2019