Nuk kam kohë – Rifat Ismaili
NUK KAM KOHË
Nuk kam shumë kohë
Mbështjellë si merimangë e trembur fshihem në pëlhurën e jetës
Dhe s’ ëndërroj më udhëtime prej Odiseu.
Nuk kam kohë të bëj ato që Zoti
Në shtatë ditë i bëri…
Frymëzimi im prej poeti ,
Në gjurmë muzash është tretur
Në qiellin e vetes me mjegull jam veshur.
Koha ikën, apo ne vrapojmë pas saj, si skllevër
Lidhur me zinxhirë këmbë e duar
Nëper monopate ndjenjash na përgjaken gjunjët
Dhe ëndrrat me përtesë pas nesh tërheqim zvarrë.
Nuk kam kohë të merrem me veten
Nuk kam kohë as te ngjyros me penela qiellin
Të rrëmbej një flok vajzëror që vrapon e shkujdesur
Dhe tia fal demonit të flakëruar në Eros.
Nuk kam kohë për veten ti qep një kostum prej mbreti,
Me skeptër magjik fjalësh të thërras stuhitë dhe erërat
Nuk kam kohë të përulem me respekt perpara jetës,
Që ikën si nuse e heshtur.
Nuk kam kohë të pastroj ndërgjegjen
Pasqyrë thyer bashkë me mua ajo tretet.
Në pëlhurën e pacaktuar të ditëve
Si rrobaqepës qep dhe shqep vetveten.