Çakmaku prej gëzhojës – Sotir Thano
ÇAKMAKU PREJ GËZHOJËS.
Një çakmak mbante ai burrë.
Të bërë prej gëzhoje fisheku.
Plumbi që i kish hyrë në trup,
I la plagën, sa një gjysëm leku.
Me atë çakmak ndizte cigare.
E flaka e tij ndër sy i vetëtinte.
Shpirtin e kish përherë në paqe,
Sa do, që ajo plagë i dhimbte.
Veteran i luftës ishte ai plak.
Nëpër malet tona e kaloi rininë.
Luftoi për lirinë, derdhi dhe gjak,
Plaga në gjoks i dha krenarinë.
Si një relike nga po ajo luftë,
Ajo gëzhojë atij i kish mbetur.
Kurse plumbi i marrë në trup,
I dhimbte nga moti i vrejtur.
Mbi gjoksin e tij si dekoratë,
Plaga e plumbit i mbeti një jetë.
Dhe në jelek, në xhepin e majtë,
Çakmaku prej të njëjtit fishek.