Shpresë në dhimbje – Zoica Gjolla Popi
Shpresë në dhimbje
Zemrën ta lë pranë
sa herë që largohem
se shpirtin për ty
e kam që të jetoj
cipën e ngricës së bardhë
ngrirë në kujtesën tënde
lermë të ta shkrij
aq sa të përmendet!
Se zogjtë të vetmuar
dridhen nga të ftohtit
mbi trungjeprerë
s’mund të qëndrojnë
krahëhapura pemët
në folezë i presin
kur qielli perëndimin
nuk do ta pranojë.
Me grusht do i bie malit
le të hatërmbetet
kur më shikon përhumbur
pa ditur çfarë kërkon
gjithçka që ndiej
jeton brenda teje
në çdo qelizë timen
e jotja më dhemb…
Në flokëshkulur ulërima
le të shpërndahet
sa toka le të kriset
gjoksin qielli ta çajë
dhimbje, moj derëbardhë
më zure, ku më gjete
mos ngelsh plagë
shpresën e trembur ta mbaj!
Sa valë paska truri
në trysni ngjeshur
sa ëndrra shkojnë e vijnë
pa u mbajtur mend
por Ti je rrezedrite
kur shpërthen, s’përmbahesh
reflekset e zjarrit
me një shkëndijë i ndez!