Sonte në dritë hëne – Zoica Gjolla Popi
Sonte në dritë hëne
Si arrite që zemrës
t’i japësh dritë hëne
e shpirtin ta qëndisësh
në formën e një ylli?
Më thuaj, si!?
Nën tingujt e një pianoje lëkundesha
nuk munda të vallzoja
vesëkëputuri lot
më solli aromën tënde.
Buzët në gjumë nate
u puthën në dhimbjen e largësisë.
Sa shumë qeshje
sa shumë ngjyra vezullonin
aq sa ëndrra e dëshira u bënë valë
e unë kërkoj hijen tënde në refleksin tim.
Si arrite, si?!
Të më përmallesh përsëri
në atë vallëzim
e unë lëkundem… lëkundem
me pëshpërimën rrëmbyer
në një gotë vere të bardhë.
S’e di a qa
a qesh
ky shpirti im?
Mos e përsërit më, të lutem!
Se ti s’e di ç’ndodh brenda meje
një shpirt i lëshuar
një zemër e lënduar
e kapur në fluturim…
Si arrite… më thuaj, si?
Në refleksin e hijeve tona
forma e një zemre
brenda një shpirti
përjetësinë kërkoi.
Sonte në dritë hëne…