I dehur – Fatmir Gjata
I dehur
Shpesh hyj tek klubi i lagjes, në një kënd,
mendoj të shkoj por prapë nuk iki dot
Më fal e dashur kamariere, më mban mend
Më mbush të lutem rrafsh edhe një gotë.
Një për Sotirin që sot bën pesëmbëdhjetë,
që Zoti e mor lart, ç’mjerim për ne
Një tjetër do ta pi, kështu, sa për lezet,
më sill oh xhan ullinj, sa për meze.
Për Kiçon një, ta ngremë, u bë me djalë,
të bësh fëmijë këto kohë është gjë e rrallë
Mbaj mend si dje, e zoti të më falë
kur bridhte këmbëzbathur në mehallë.
Për Ndinin njëzë ta ngre, e hëngri jeta,
po ç’jetë na qenka kjo mor byrazer
E pijmë me një frymë, ç’është e vërteta,
na kthehet gjithë në helm edhe në vrer.
Ta pi dhe një për Zoin, mbet fillikat,
e lanë si t’ish jetim, iknë e su panë
Nuk paskan vlerë, as vilat, as paratë,
më mire te kesh sa për raki edhe duhan.
Ta ngre dhe një për vete, të mbesë bosh,
kjo shishe është bekim, e them dhe vetë
Vërtetë nuk jam i pari, djalë sarhosh,
por di të shkruaj vargje permbi fletë.
Paçka se nëpër lagje thonë s’ka sherr,
jeton si murg i varfër në një kishë
kur dehet zë këndon e vallen merr,
e shkruan natën vonë ca punë magjish.
Fatmir R Gjata