Farmacistja e fshatit – Sotir Thano
F A R M A C I S T J A
E F S H A T I T !
Gjarpërin ka si simbol,
Çdo farmaci nëpër botë.
Gjarpëri është në ikonë,
I përdredhur në një gotë.
Është edhe mbi një kryq,
Gjarpëri me gjithë gotën.
Që nga epoka e Hipokratit,
E në këtë kohë të sotëm.
Helmi i tij është farmak,
Një gjarpër po të pickoi.
Kurse, po helmi i bërë ilaç,
Patjetër që do na shëroi.
Kemi një vajzë të bukur
Ne për farmaciste fshati.
E mirë është në të dukur
Por më e mirë nga tabijati.
Djemuria ç’i vijnë vërdallë.
Të moshuarit fare shkalluan.
Të gjithë nga i njëjti hall,
Të gjithë duhen shëruar.
Në hallë janë shumë gra.
Por më shumë ca nëna,
Burrat kanë rënë në sevda
Sy hapur shikojnë ëndërra.
Por më ziliqare janë vajzat,
Këto vajzat e fshatit tonë.
Cave sa nuk u ra damllaja,
Nga kjo zonjushe biskonjë!
Shumë të rinjve të fshatit
U është prerë fare oreksi.
Për të vajtur në farmaci,
Do e gjejnë pretekstin.
Tensionin u mat pleqëve,
Kininat s’u bëjnë derman.
U dridhen atyre leqet,
Kur i gjënden asaj pranë.
Çdo mëndje do e pjellë
Një sebep pa vështirësi.
Pranë saj sikur i ndjellë
E gjithë ajo bukuri.
Fshati është si në ethe,
Të gjithë janë mrekulluar,
Farmasistes si një gjethe,
Shpirti i është gjelbëruar.
Ndihmon kudo ku mundet
Ajo, fare pa asnjë përtim.
Bënë gjilpëra te të sëmurët,
Tek fëmijët ndonjë vaksinë.
I gjithë fshati po ndjenë
Për farmacisten dashuri.
Për ndonjë është si helm,
Për shumicën një ilaç i ri.