Letërzeza – Sadik Krasniqi
LETËRZEZA
Larg shkuam larg përtej nëmës së nënës
përtej ku miza hekurin bren
përtej mallkimit të të marrit të lagjes
përtej ku na gjen vetëm letra e zezë
Kur të vijë kjo letër
e lidhur me fjongon futë
me shkronja të zeza e kumt të zi
për vdekjen e babait,vëllait a të nënës
Me kuaj të qiejve
me kafe të hidhët me dritë vetëtime
do të vij para muzgut të gjëmës
me ty motër do të rrijmë para të meitit
Do të më rrëfesh me dënesë
për vdekjen e babait me sy çelë
nga malli për mua
me mërzinë tonë do ta pikëllojmë natën
Do të flasim për fëmijërinë
do të gëzohemi që u pamë
e zemra do të na plasë
nga ndarja e re
*nga libri “Ofshamë ne urnë”
Sadik Krasniqi