O lum poeti – Xheladin Halili
O LUM POETI
Nën hijen e pemës së shqipes
Kandil diturie për brezat
E gdhendur nëpër gurët e përgjakur
Të gurrës që s’ngopen kalimtarët
Te uji gurgullues që kaloi kufijtë e mëmëdheut
Nga dora që mbante penën e lagur
Me bojën që s’donte të thahej
Lundronte nëpër faqet e letrave
Shpërthente damarët e dijeve të botës
Udhëtonte me anijen e mendjendriturve
Hallkë e karvanit të urtakëve të mëdhenj
Ruajtës i emanetit të shqipes
Nëpër dekadat e dhimbshme
Për këngët e bilbilave të shqipes
Për shqipen e ëmbël
Për poezinë…
Kaq thellë lavroje me fjalët plot xhevahir
Me dorën që t’pushoi sot
Në librat që s’do të vdesësh kurrë
~ Xheladin Halili
Viti, më 26.10.2020