Aromë luleftue – Lumni Nimani
Aromë luleftue
E pashë një nadje
Njatë lulishte t’blerueme.
Harlisun,
e flokëshprishun,
si flutur pranvere
Aty Hyjni tue flatrue.
Oh! Ç’u pra, bash si diell n’mue.
Shtat atki e vetullhanë,
mbështjellun me mantel dashnie.
Tan e prarueme
me nur Perendie.
Dukej sikur
edhe zanat n’mal
i vret zilie.
Gëzueshëm tue këndue.
Aq bukur ja thoshte,
një kange arshikie.
Me atë za bylbyli
aq prajshëm,
Tue rrjedh n’mue;
siç uji n’krue.
Oh kur m’tha:
se n’ty jam dashunue!
Ndjenjë e prushtë,
shpirtit m’ka kaplue.
M’ju ngjit zemrës,
bash si mishi n’thue
Për atë shtojzovalle
aromë luleftue.
Por e çuditshme,
shumë kjo dynjaja
Pse dy shpirtna
i paska zan sevdaja
O Zot …
a duhet t’nxjerrin
helm e vnerë
sikur asht ba hataja?!
Oh ç’mëkat!
Kur ndjenjë e hyjnishme,
të ngjitet trupit,
siç lumi shtratit
dhe të shpie,
në të shtat qiejtë
lumturuem.
Larg, shumë larg
kësaj bote të pistë.
N’atë parajsë,
n’oazen tone t’fildishtë.
N’atë fron mbretnie,
ku qëndisen,
fijesh t’arta,
kunorë dashnie.
Me bekim zotnash
dhe uratë Perëndie.
Lumni Nimani
04. 11. 2020
Straubing