Zemërimi i Poetes – Zoica Gjolla Popi
Zemërimi i Poetes
Në mijëra cifla të panumërta
do ta thyej pasqyrën
në qeshjen tënde
ngërdheshje!
Ç’të bëri shpirti
që e plagose?
Në lotin e një engjëlli
rëndoi fjala
pa peshë
e hidhur
si këpurdhat helmuese
të zverdhura
të lagura
pas shiut.
Sa e mblodhi
renë e dendur
ah, e grisi
në gri të errët
në më të zezën gri…
Aty mbetsh
në errësirën e mjergullt
pa dritë!
U turbullofsh
në labirinthe tuneli
në kërrusjen tënde gungaçe!
S’të njoh
s’të kam parë
përse t’i zë sytë shkëlqimi
mos më dalsh përpara!
Mbetsh i paburrëruar
para Fisnikëve të lindur!
Unë di fjalëmblën
shpresëdrite
di gjuhën e shpirtit
gjuhëqiellin
fluturoj mbi re te bardha
në një kalë të bardhë
me një vello qëndisur
sa lule, lulebardha!
Për të fshirë
atë lot pa faj
të një Engjëlli
paqe… plot paqe
në fluturim!