Simboli i planetit të kuq – Zhaneta Fisti
SIMBOLI I PLANETIT TË KUQ
Në qetësi mbledh fjalët një nga një të përshkruaj këtë ndjesi.
Me muzikën më të ëmbël ti hedh në rrjeshta.
Të them botës mbarë kush më përcolli këtë dashuri.
Këtë pranverë prillërore që shkruhet me shkronjat e shenjta.
Pa dyshim ulem në prehërin tënd shekullor.
Në atë taban me barin e vesitur krahët i mbështes me sikuri.
Aty ku heshtja e puhiza mëngjezore përpijn diellin pranveror.
Kjo dritë e shenjtë në gji ndezur rri.
Këtu mora ajkën e fjalës në lëndina e livadhe.
Ta përdor me lule rudinë si kurorë shtojzovalleje.
E zëri i ëmbël aq larg si simfonia më e paqtë më fton.
Ky fllad që me aq kujdes përkëdhel e përqafon.
Të puth ballin e rrudhur o lartësia ime.
Me shpresën të largoj gjithë këto mjegullime.
E buzët që rrjedhën vlera e mjalt burojnë,
Në brezat e ardhshëm kurrë të mos shterojnë.
Me krahët e lehta më mësove të fluturoj.
Në këtë pasqyrë të kthjellët sytë fanar kërkoj.
Me shumë zogj këngët më të bukura do të këndoj.
Shkel gjurmë dashurie, e këto trashëgoj.
Të drejtat rezervohen autores.
Zhaneta Fisti 29/ 8/2019