Kush i solli gërmat shqipe ?! – Ylli Meçe
PËRTEJ HIPERBOLËS
(Kjo poezi i kushtohet pedagogut tim të Gjuhë-Letërsië në shkollën Ushtarake “Skënderbej”, Perikli Jorgonit, ‟aksidentuar” me pasojë vdekjen në rrethana shumë misterioze)
Kush i solli gërmat shqipe ?!.
Qoftë i mallkuar !
Teksa jargët e vrera (oh me sa helm) ranë
mbi veladonin e tij krejt të zi !
– Shqiptarët të gjithë pa përjashtim
kam për t’i shkishëruar!
Çmendurisht ulërinte patriarku,
nga një meshë që mbante larg
Larg… sa larg nesh, tutje në Greqi.
Ata na e vranë At’ Kristo Negovanin,
për gërmat shqipe
Kryqëzatën,
filluan priftërinjtë e Athinës si të marrë
Të etur,
i’a ngulën thikat tej përtej kraharorit
Blasfemi… blasfemi është vërtetë –
kur djallit i lutet
Vet djallit me temjan, por tashmë
vendosur në altar!
Ata bukën e helmët
i’a dhanë dhe Petro Kolonjarit
Si në Mesjetë,
i’a shtruan dhe me ‟verë të vyer”
Të marrët, as mund ta kuptonin
se vet ata, ishin të helmuarit,
Se vdekjet për alfabet
kurrësesi jo,jo nuk mund të mbyllin
Por hapin me mijëra
dritare e dyer!!
Është dhe ndofta do të ngelet
përtej çdo imagjinate
Një shqiptar në trung sa njè rrap,
në mos dhe më i vjetër
(Më ndieni miq mos e merrni kurrë
aspak për hiperbolë)
Nga djajtë e një shpirti,
të një kishe të pashpirt, u mallkua:
“Sqipëëëëtari” !
Mos të gjetët kurrë ndër të gjallët.. viti tjetër !
E shkishëruan dhe atë,
se në gjuhën e nënës pat mësuar
Nga Kristoforidhi apo Noli i madh…
gjigandët pa përmasa
Tragjeditë.
ka raste marrin forma të heroizmit apokaliptik
Jo vetëm nga lumenjtë e gjakut,
derdhur
Por dhe kur jetën e japim
për gërmat e arta!
Mësuesi im !
Ti që shkronjat i deshe përtej çdo dashurie !
Mos vallë për ty ranë aq fort
oshtimat e këmbanës ?!
Nëse do të ishin gjallë
Noli,Nini e Nevogovani
Patjetër që do të të thonin :
– Ruhu e bëj kujdes bir !
Kujdes, nga buka
dhe vera e “vyer”… e Patriarkanës !