Ah sikur – Fatmir Gjata

Ah sikur
Shpeshherë të mendoj deri vonë, të ndjek nëpër drita dhe hije
E di, për poetët çfarë s’thonë, mbase rrojnë veç me fjalë dashurie
Por betohem në fjalën e parë, jo në bibël të shkruar, natyrisht
Të mendoj e ngjasoj me të marrë, kur s’të shoh sy të zi e të trishtë
Edhe shkruaj një varg në mesnatë, kur nuk kam më asnjë dëshmitar
E kafshoj buzë të çarë e të thatë, ah sikur;them me zemrën e vrarë
Të shalonim bashkë hënëz të ndrirë, ku do shkonim as vetë nuk e di
Ndoshta humbur nëpër errësirë, do të mbaja shtrënguar në gji
E të bëhej ç’të bëhej në botë, le të digjej e të kthehej katran
Sepse jeta shpesh duket e kotë, kur nuk ke perëndi aty pranë
E të loznim me shpirt të çliruar, sikur engjëjt parajsës dikur
Sikur ishim vetë engjëj të shuar, sikur ishim mes tyre, sikur…
Fatmir R Gjata