Xixëllimë e një ëndrre – Seti Pezaku Vladi
XIXËLLIMË E NJË ËNDRRE
Ma xixëlloi ëndrrën time të blertë
ky qiell i qëndisur me fluturime avionësh,
që sjellin e marrin mozaikun e jetës.
Shkëlqente ai syth buzë pranvere
kur zgalemi qiellor oshtimën derdhte
poshtë qiejve
mbi piramida alpesh
të mbjellura me sinjale radiofonike.
Donte të ishte
syri i trurit me rreze komete
në garë me shqipen gravur majash,
të ishte një dallëndyshe
dalë nga frëngjijtë e kodeve të errëta
dhe rrugën t’ia prinin palat e flamurit,
nga pas ta ndiqte zëri i nënës,
ajka e fjalës profetike.
Prej së larti,
puthje me yje qiellore t’i jepte
valës me plagë të vjetra lidhur,
gulçimit të lokomotivave,
çerdhes së lejlekëve mbi degë reshë.
Kur mëngjeset ende të mos ishin zgjuar,
kafenë e agut të përflakur
ta pinte në kthjelltësinë e lotit të qiellit,
yjet e lodhur në gjumë t’i vinte,
diellin të zgjonte
që arat e prisnin të skuqte grurin.
Nga andej të zbriste
veshur me mëndafshin e mallit të bijës
për qeshjen e syrit të nënës.
@seti pezaku vladi
11/12/2020