Vegimi i një nate dimri… – Afrim Hyseni
VEGIMI I NJË NATE DIMRI…
(Kushtuar Nënes sime të ndjerë)
.
Në një natë pa hënë, pa yje,
Një pragëdimri në veri,
S’po më zbriste gjumi syve
Dhe s’më flihej kurrsesi.
Mendja sillej e përsillej
Në shkretira prej vetmie.
Terri mbas dritares fshihej,
I pabesë, pa dritë, pa hije.
Teksa prisja të më vinte
Or’e gjumit të shpresuar,
Midis dhomës pashë një dritë,
Ish’ e ngrohtë, ish’ e praruar.
E mbuloi të gjithë hap’sirën
Krejt në shndritje me vezullim.
Askund s’mbeti vend i errët
Shkoi terri në mërgim.
Kaq e bukur ajo dritë –
Rrezendritur s’kish të dytë,
Unë i shtangur mbeta ngrirë
E s’mund t’i besoja sytë:
Isha zgjuar ? Shihja ëndërr ?
Vërtetë ishte shumë e dlirë
Atë çast një zë të ëmbël dëgjova
Pëshpëriti: Pse s’fle, mor bir ?
Shihe natën, ësht’ e errët.
Shihe orën , u bë von’ë .
Nesër vjen një ditë tjetër,
Një përballje e re të fton.
Unë e di çfarë është dhimbja
Dhe largësia dhe vetmia,
Por mëngjesit, kur zbardh dita,
Pret kujdesjet si fëmija.
Ndaj përmbi dhimbje të shpirtit,
Mbi vetminë që vret në zemër,
Mos ul koken, lart të ngrihesh,
Mposhti e mos lyp rrugë tjetër!
Çfarëdo që të ndodhë në jetë,
Këto fjalë mos harro kurrë:
Si çdo nënë e vërtetë
Linda djalë por rrita burrë! …
Kaq tha dhe shkoi sikur erdhi
Ajo dritë,m’e mirë në botë.
Mbas dritares ndriti dielli.
Në veri bënte më ngrohtë…
.
Shkruar me 22/dhjetor/2020
ora 23:41 Corbetta Itali
//Afrim HYSENI// Copyright2020
