August 7, 2024

I urituri, i pangopuri – Luan Kalana

Dhuroni donacionin tuaj per mirembajtjen e portalit dhe per promovimin e poetit tuaj të preferuar.

…prag Viti i Ri – Dhuratat Paradoksale
I URITURI ; I PANGOPURI
-Të kesh hambarët plot, të hash me racion,
ta prodhosh bereqetin vetë, misër e grurë,
të mbetesh me bark bosh, jetë me paradoks,
të shkosh në atë botë ëndërrimtar për bukë…
Të blesh, të hash me kartë, me listë buke,
mjerë ç’heqin prindërit, për të shkretët engjëj,
si qenka gatuar e pamëshirshme kjo botë,
të thahet magjia bosh, mos kesh bukë në sofër.
Ca fryen si buall, i bien bukës me shkelm,
dielli mëkatar s’na përvëlon, si s’na i zë sytë,
jetimët të lëngojnë, t’u lëshojë goja lëng,
të vdesin në rrugë për ca thërrime bukë.
S’kanë thënë kot, qenë të mençëm të parët,
deti me ujë u bë bukë, s’u gjet një koriçkë,
vetë le të mos ngopem, ta ndaj timen kafshatë,
të mbeten njerëzit gjallë, mos vdesin për bukë…
…I PANGOPURI
-Siç shtrihen beharit buallicat në llucë,
siç i ngopet devolliu punës e bukës,
siç ulet viçi në gjunjë kur pi sisë,
siç i fryn Laveri gërnetës, kabasë
ashtu dua ta shijoj, t’i ngopem ditës.
Dua dritë në jetë, s’dua të shoh errësirë,
dua ditë me rreze dielli, jo vranësirë,
dashuroj natën me hënë e yjet me dritë,
s’dua të më ikë pa jetë asnjë orë,
dua t’i ngopem deri në fund ditës.
Sytë të kullosin livadheve në jeshil,
fëmijët të lozin si fluturat në lëndinë,
zogjtë mos pushojnë së cicëruari,
zemrat mos qajnë, sytë mos nxjerrin lotë,
bilbilat të lodhen ditë e natë me këngë.
S’dua të jem i pasur, të ha e të pi shumë,
dua që për njerëzit burimi të bëhet lumë,
dua të çelin lulet, bari të rritet, uji mos u pritet,
dua kafshëve të mos u thahen bari e gjethet,
liri për kombin, Atdheu mos venitet.
S’dua privilegj, kërkoj vetëm dritë,
s’dua ta ble e as ta shes me para,
s’dua të kërkoj borxh rreze dielli,
dua të dehem me ngjyrat e ylberit,
duat t’u fal brezave jetë me dritë.
Nuk dua të më zënë në grykë billa e taksa,
nuk dua të jem refugjat, dua botë pa luftra,
siç dua nënën, gruan dhe fëmijët në gji,
dua të thith ajër i lirë, nuk dua dhurata,
dua vëllazërim mes popujve, dua dashuri.
@Luan Kalana,SHBA.

Shpërndaje në rrjetet sociale:
Porosit vide-poezine tende, kontakto => laberianews@gmail.com
WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com