Portreti i gjyshit me ngjyrat e syve të mi – Brahim Avdyli
Brahim AVDYLI:
PORTRETI I GJYSHIT
ME NGJYRAT E SYVE TË MI [1]
1.
Testamenti i tij- amanet këto troje
dhe vrap ndër beteja,
me Bajlozat përleshej fyta-fyt
edhe kur nëntë gurra gjaku
nëntë kroje lirie
i buronin në shtat
e s`i shterronin kurrë
as në legjendë!
2.
Kur etçohej për diell
i shterronte lumejt e hasmit
dhe bjeshkët trandeshin
gjëmonin
oshëtinin
nën hapin e rëndë shekullor!
3.
Nuk rrëzohej as kur i sosej fryma
shndërrohej në shkëmb
duke ruajtur
kronikën e përgjakshme për breznitë,
bëhej këngë e gjallë në lahutë
bibla e trojeve ndër oda
bëhej jehonë vitesh
prej frëngjie në frëngji
prej bjeshke në bjeshkë
prej shekulli në shekull!…
4.
Deri tek Dielli
ai ngjitej krismë mbi krisma
me gjithë trojet e veta kalistrok
e kur fliste
malet heshtnin përnjëherë
t`i përgjigjeshin njëzëri në jehonë,
e kur dashuronte
pishat e digjnin rrëshirën
deri në kupë të qiellit,
e kur dëshprohej
tokë e varre i ngriste në valle
për ta thyer dhembjen!…
5.
Testamenti i tij-
amanet këto troje
e kurrë nuk rrëzohej
e kurrë s`i shterronin
nëntë gurra gjaku-
nëntë kroje l i r i j e!
[1] Poezia e tretë e librit „Gjuha e dheut tim“, „Porteti i gjyshit me ngjyrat e syve të mi“, është e botuar në SHB „ALBIN“, Tiranë 1999. Këtu përsëritet për herën e dytë, me thënien time të korigjuar. Poezia është lirike dhe shtron simbolikisht portretin e lashtë, me plis e tirqi të bardhë, të stërgjyshërve tanë, bashkë me portretin e stërgjyshit tim, Gjergj Kastriotit- Skenderbeut. Ajo i shpreh krojet e lirisë dhe nuk i shterron as nëpër legjenda, e thënë këtu me figura stilistike, përderisa ngritet krismë mbi krisma, me të gjitha trojet e veta kraheqafe (kalistrok) deri te Dielli, që simbolizon diellin e lirisë së vërtetë të të gjithë ilirëve, shekull pas shekulli…
„Porteti i gjyshit me ngjyrat e syve të mi“ i rrah të gjithë ata që kanë dalur prej gjakut të kombit shqiptar dhe e bëjnë leckë të ndotur kombin e tyre, me të palarat e pambarim!…