Bisedoj me heshtjen – Nezi Plaku-Velaj
Bisedoj me heshtjen
Me heshtjen bisedoj shumë kur jam vetëm,
Bisedoj në heshtje dhe me hënën e plot,
Plot sharm pasqyron hiret e saj kjo zonjë e heshtur,
Unë prap e heshtur me veten dhe me heshtjen bisedoj.
Më jep këshilla heshtja në vetminë e frikshme,
Hesht më mirë thotë, dëgjo çfarë thonë!
Përtypur e kam heshtjen shpesh, bashkë me pështymën,
Dëgjoj në heshtje, se heshtja edhe pse s’flet, shunë thotë.
Heshtja është shoqëruese në netët e pa gjuma,
Është domosdoshmëri të heshtësh për një moment,
Ku në heshtje përtyp psherëtimat e dhimbjes
Ftohtësitë e akujve e aisbegve i ndjen thellë, thellë,
Kam përtypur shpesh në heshtje edhe dhimbjen,
Kam mësuar se në qetësi hesht edhe kur s’dua të hesht,
E di, se shumë herë jam bërë skllave e heshtjes time,
Duhet të heshtësh më mirë, kur fjala s’të zë vënd.
A ka shije heshtja, vallë kur e thartë përtypet?
Apo ndjen dhimbje kur fjalën s’e nxjerr dot ?
Por një gjë është e vërtet, që të bashkëjetosh me heshtjen ,
Nuk është e lehtë,
Të duhet të gjesh gjuhën e saj, sepse ajo kurrë s’flet, por vetëm dëgjon.
Arma më e fortë është fuqia dhe qartësia e mendimit
Nezi Plaku Velaj
Tiranë 08. 01 2021