Kur hyra te vjedh – Robert Shkurti
KUR HYRA TË VJEDH
Dikur i ri, hyra të vjedh në një shtëpi.
Ndonjëherë jeta
të detyron të bësh edhe ndonjë të paudhë padrejtësi.
Veç duart e zemrën kisha me vete
për të vjedhur shtëpinë,
bukuria e së cilës ma shtoi kërshërinë.
Desha të gjej çelësin,
që të hyja me lehtësi dhe nisa të kërkoj.
Ngrita tapetin e këmbëve tek pragu.
Lëviza vazon e lules në dritare.
Kopshtit i rashë kryq e tërthor,
mos, ndoshta, e kishin varur
në ndonjë krrabë të shtrëmbër peme.
Ngrita sytë lart në qiell.
Vështrova në krahët e hollë të hënës,
në veshët e shpuara dhe çengelat e thyera të reve.
Diellit ia pashë gjoksin mos e kishin varur aty.
Por jo. S’e gjeta asgjëkundi.
Dreqi e di se ku e kishin fshehur!
Vendosa. Thashë me vete:
– Derën do ta shkallmoj!
Hyra dhe kuturu nisa të kërkoj.
Nuk pashë asgjë.
Dritën ndeza. Ç’të shoh?
Mbi tavolinë, një zemër. Një zemër …
Uria më grinte dhe s’mund të prisja më.
Iu sula, ia ngula dhëmbët. M’u thyen,m’u shkërmoqën
dhe ndieva dhimbjen,
kur tringëlluan mbi dysheme një e nga një.
Nuk pashë mirë. Bukuria e zemrës më kish verbuar.
Nga padurimi dhe padjallëzia, rëndë kisha gabuar.
Nuk ishte zemër mishi të më shuante urinë.
Ishte kristal akulli.
Tek u rrokullis,
u thye copa-copa dhe u dergj nën tavolinë.
Në grimcat e thyera pashë veten time me shumë fytyra.
Ma kishte prishur bukurinë dhe humbur burrërinë.
I frikësuar, ia mbatha.
Ishte hera e parë që guxoja të vidhja
dhe duarbosh doja të mos dilja.
Ndaj si gjarpër u zvarrita me dhimbje nën tavolinë.
Si relike, një copë të thyer mora me vete,
ta kisha nga vjedhja e dështuar si kujtim!
Shkëputur nga vëllimi poetik
“Ajër shprese”
12 qershor 2015.
Robert Shkurti