Nga botimet me poezi Tanka – Muça Vladimir
Nga botimet me poezi Tanka
Si retë në Korab
Të më ngjitesh dua,
Si ato tek Ty të tretem.
Atëherë do rrije me mua
Dhe kur si shi të derdhem.
Ti ishe pasqyra
Ku shihja veten time,
Tani s’je më.
Ndjehem i shëmtuar
Në pasqyrën e verbuar.
E mbaj mend dashurinë e parë:
Lëndinës gjithçka u çlirua.
Kur doli hëna
E futëm në mesin tonë
E Ajo zu të flejë si grua.
Më thosh:s’dëshiroj të të shoh
Si çmendet lotët,
E malli faqeve zë të bjerrë.
Druaj zjarrin m’a vjedhin vashat
E mbetem një shteg i mjerë.
Tcunami mes nesh
S’është valë shpirti
Që gicërron n’ledhati;
E pasi bën harakiri
Tërhiqet duke vrarë.
Zemra s’njeh monedhë,
Gjithmonë jep pëshqeshe,
Thasët me arë udhëve hedh,
Asgjë s’mban për vete
Se Atin ka bankomat.
Ditë e dhëndërisë:
Shikimi strukur
Nën velë ndjenjash.
Stacionëve të panjohur
Gjëmojnë sirenat.
Kodrës Marikajt
Trupi në pavetëdije.
I njoh shtigjet,
Të puthurat nën gëmusha,
Ku u tretëm unë e ti.
Në bregun e Currilave,
Mes molusqëve pa jetë,
Dallgëza e detit,
Si buzët e një gruaje
Fërgëllon në ekstazë.
Kur ra rrufeja largimit
Lisi u ça në dyshë;
U shkretua vendtakimi.
Në dhiarenë e fshehtë
Nuk çeli trëndafili.
Mëngjesi i gjashtëdhjetë e pestë
Shkrepandriti mbi Shetel.
Sa do desha,
Nën tendën e kujtimit
Të pija një kafe me Tatën.
Kur erdha në takim
Si lule qershie
Çelën sytë e tua,
Zbardhëlluan largësitë,
Gjithçka çeli tek mua.
U hirosen ylberët,
Lumejt e ndjenjave
Në fundo mbeten;
Ti më shikon pa zë:
– Do vish shtegut ku më le…?
Marrë nga vëllimi”Ekuinoks”