O moj nëna Labëri – Landri Xhemalaj
O moj nëna Labëri
Të keqen moj Labëri!!!
Ç’ma do zëmra , ç’ma ka ënda
Të të shoh si zonjë të bukur
Zonjë me naze të rënda
Me ata djemtë levenë
Edhe vajzat si sorkadhe
Vanë ,shkuan gjithë ç’qenë
Andej nga bota e madhe
Moj krahinë e bukurisë
Sofrën e shtroje në udhë
Ishe djep i trimërisë
Në ballë ishe në furtunë
Ku shkuan trimat e parë
Ata të tërbuar trima
Me jelekë e qylabardhë
Jataganët vetëtima
Ku shkuan ata luanë
Buza për ujë zhuritur
Vatanin me gjak e lanë
Vatanin ku jemi rritur
Labëri moj zonje e mirë
Të dogjën e të zhuritën
Po ti çele përsëri
Brez pas brezi trima rritur
Moj krahina me tradita
Kuvendi i burrërisë
Djem e vajza si petrita
Shembëlltyrë e pamvarësisë
Vlorë 09/01/2021