Jam i vogël – Hasan Bulçari
JAM I VOGËL…
Jam i vogël para teje o diell,
E rreze marr nga rrezet e tua.
Jam i vogël para teje, o hënë
Dhe dritën tënde natën e dua!
Jam i vogël para teje, o toka ime
Dhe çapat hedh mbi koren tënde,
Jam i vogël para teje, o det
E gjatë rri, të sodit me ëndje…
Jam i vogël para teje dashuri,
Jam i vogël, i vogël, i vogël…
Sa ç’jam i vogël me një kërthi,
Që para meje është sa një gogël!
Jam i vogël para teje
o lëkurë e rrudhur, e rreshkët,
Para teje mësuese flokëbardhë
Dhe profesorit tim të zeshkët.
Jam i vogël edhe para farës,
Asaj… që sapo mbin,
Jam i vogël para kones së bardhë
që sa hap sytë, zë e më lëpin.
I vogël para zogut që ngre folenë
Edhe kur çukit një kokër gruri,
I vogël kur ikën e merr dhenë
Trembur nga hija ime prej burri…
Jam i vogël para gjithësisë,
Një hiç para Zotit,
Siç jam shumë, shumë i vogël
edhe para pikëzës së lotit!
….
Por kujdes kur më lexon
Ti rrugaç, hajdut e faraon,
Ti koketë që nën tule s’ke vetëm një fron
Ti goxillë, bull, fodull me dipllomë të blerë,
Ti skuth që natën fsheh e djeg defterë,
Ti që për një kuplara e mbyll një derë…
Ti që plumbon zemrën e një nëne
E zhurmon për zhurmën e asaj të shtëne!…
Ti…
Ti…
Ti…
…
C@ne
31/01/21
Itali