Mos e lëndo zemrën – Zoica Gjolla Popi
Zoica Gjolla Popi
Albania
UK
Mos e lëndo zemrën
Kur ta dhashë shpirtin në dorë
u drodha si zogu pendëdalë
që lenë folenë për herë të parë
merrma zemrën po të duash
se unë s’mund të jetoj dot pa ty
po të pyes
a jeton një trup pa zemër?
Eh….. torturë e vërtetë e hijshmja jetë
ashtu si xhelozia
që kërkon dyzimin e vehtes
ç’faj ke ti, e ç’faj kam unë
kur ajo hyn pa pyetur
pa u ndjerë, duke mbledhur lëmsh jonormalen?
Në dy trupa te pandarë
krijon atë vlagë që s’shlyhet
gjurmë në kohë tej…. përtej
gjurmë pa kohë….
ah…. ç’më bëre?
hijen tënde mbaj në gji
por a mundem?
Nuk jam engjëll i dashur
jam njeri
ndjej kur hesht
qesh mbase kur s’duhet
qaj kur s’mundem
kërkoj si e verbër dritën e shikimit tënd
me një qiri në dorë
në lëkundjen e majëflakës
sa majtas…. djathtas.
Në tretjen e tij, ndizet shpresa ime…….. ej… nëpër ëndërra
e shpresuar, e përhumbur
e malluar
ngecur keq në venitjen e zverdhur
të membranës së harresës
ku të të kërkoj?
ku të të gjej?
Dua të përplas grushtat
në dyert e mbyllura
të thërras me zë të lartë
të ulërij, të më ndihmojë
grinta, për të shpërthyer hapjen e tyre.
nëpër rryma koherentesh
le të përplasen
le të kërcasin.
Dua të grindem
Ej…. ej …. dëgjomëni
nuk kam faj
jam njeri
nuk jam engjëll
e gjëndur e papregatitur
e paditur
si në një ring
ku fjala godet më rëndë se grushti.
Sa afër e sa larg
shpejtësia e drites mori
në lartësi të panjohurën
sa enigmë aq e pavërtetë
e lëshohet si harku i një shtize
në tërheqjen e plotë në majëshpuesen.
More i marrë, more i mjerë
a goditet një shpirt njeriu
që pulson për ty
më shiko drejt e në sy
vallë e mendon ç’vënd zë
shenjtëria jote tek unë?
Mos e lëndo zemrën
as ndjenjën Hyjnore
lërmë të të hy në shpirt
si Perëndeshë e virgjër me ndjesitë e mia!
1/2/2021
Angli