Hapma portën, Kosovë! – Zoica Gjolla Popi
Poezi
Marrë nga libri “ Vals i dashurisë”
Hapma portën, Kosovë!
Kalëruar vargu im
në galop urtuar
në Kosovë po e ndal vrapin
me mall në zemër trazuar.
Me aromë Adriatiku mbështjellë
me gjurmë rëre të lagur
degë ullinjsh të gjelbëruar
nga Shën e Premtja bekuar.
Hapma portën, Kosovë
vij me mallin për varret
me trëndafila të kuq në duar
në përshpirtje për Indritin
e gjithë trimat në liri betuar!
Ngrema vellon, jepma besën
jam një bijë Shqiptarie
gjer në palcën e ashtit
kam qarë për ty
dua të jetoj me ty!
Jepma një copë fuli gatuar
në çerep mbuluar
nga grurë në lëmë rrahur
e bukë të ëmbël ëmbëlsuar!
Le t’i bashkojmë lotët
në këngë dasme gëzuar
në tinguj çiftelie e klarinete
në të njëjtën melodi
qarë e kënduar!
Lule mali e lule fushe
ndër fustane nusesh të derdhen
mbi vello të çelen
në peng malli mos ngelen.
Me hijeshinë tënde
hapma portën
të jap shpirtin, Kosovë!