Në pritje jam… – Kasam Shaqirvela
Poezi nga: Kasam ShAQIRVELA
Në pritje jam…
(Baladë dashurie)
Udhëtimeve të mia
nëpër rrugë të gjata
si dita e nata
pa u shkëputur
ky peri endës
që e thur Penelopa…
gjithnjë në pritje …
me syrin në vegim
n’katër anët e botës
me shpresën…
e zemrës së thyer
prej stuhishë,…
me dhimbjen
e shpirtit të lënduar
nga tërmete dashurish,
të kërkova gjithandej
s’e di për të satën herë
nga fillimi po ia nis
vetëm për të të takuar
mbase dhe veç një herë
më resh malli i madh
si hija e të lartit lis
për lulet e bukura si ti
ka kohë që s’u kam marrë erë
shkaku i acareve dimërore
a në pritje për pranverë.
Nga humnera e ndjenjave
i vetëm nuk po dal dot
pa ma zgjatur dorën ti
shpresoj t’mos e kem kot
afshi yt po m’i thanë
djersët e ballit
edhe ato pak lot
të ngrirë qerpikësh
për kaq mote, të shkuara
nëpër udhëkryqe bote
dhe kraharorin vullkani
nga dhimbja po ma çanë
vetëm shpresa s’më thahet
veç ajo nuk më ndahet
shpirt e zemër m‘i lidh bashkë
ai i dashurisë ashk..!
Në pritje jam…
dhe duke u lutur…
të më kthehesh ti
e imja flutur…
krahëshkruar,
e llastuar…
e përkëdhelur
me afsh…
për një dashuri
kurrë të vjelur
por, ti humbe…
sikur të ishe tretur
a mos ike në përjetësi
apo gjetkë rri e fshehur
unë, sikurse që të prita dikur,
edhe tani që, përditë nga pak,
për së gjalli po vdes
dije se me mall po të pres
atë eshkën e zjarrit
në valvulën e zemrës
që ma pate ndezur…
pareshtur të kërkon,
ëndrrave të purpurta
vetëm për ty, vetëm ty
si brez ylberi
të mba ndër sy
për kthimin tënd
në pritje jam…
eci i bindur,
ditë për ditë…
udhëve të lumturisë
përplot me re,
natë për natë…
brigjeve të dashurisë
që vdiq pa u lindur…!